Salvini autorizon policinë për përdorimin e pistoletës elektrike

Ministri i brendshëm italian Matteo Salvini ka firmosur dekretin, i cili autorizon policinë në përdorimin e pistoletës elektrike Taser.

Prej ditës së sotme efektivët e forcave të rendit e të policisë financiare në 11 qytetet italiane Milano, Napoli, Torino, Bologna, Firenze, Palermo, Catania, Padova, Caserta, Reggio Emilia e Brindisi, do të pajisen dhe me pistoletën elektrike.

Nis kështu faza e parë e eksperimentale e pistoletës Taser në Itali për të përfshirë më pas gjithë territorin e vendit.

“Kjo është një armë parandaluese e jo vdekjeprurëse,”-ka deklaruar ministri Salvni. “Përdorimi i saj është një instument i rëndësishëm për forcat e rendit që patrullojnë rrugët e që mund të gjenden në situata të pakontrollueshme.”

Përdorimi i pistoletës elektrike Taser në Itali, në këtë fazë eksperimentale i është besuar Policisë së rendit e Policisë Financiare dhe do të ndjekë një protokoll disiplinor në përdorimin e saj, ku do të përgatiten një grup efektivësh policie mes të cilëve dhe femra.

Pistoleta Taser me anë të përdorimit të elektricitetit paralizon lëvizjet e personit të goditur duke i paralizuar muskujt.

“Pistoleta Taser mund të zvogëlojë rreziqet e sigurisë së jetës për personelin tonë policor,”-është shprehur ministri i brendshëm italian. “Unë mendoj se pistoleta elektrike është një armë e vlefshme siç ka dëshmuar dhe përvoja e mjaft vendeve të përparuara si SHBA, Francë, Zvicër, Britani e Madhe etj.”

Aktualissht pistoleta Taser është në përdorim nga forcat e rendit në 107 vende të botës.

Taser është ideuar si projekt më vitin 1969 nga Jack Cover, shkencëtari i Agjensisë qeveritare aeronautike amerikane NASA.

Pas 5 vitesh studime e prova ai realizoi ekzemplarin e parë të pistoletës Taser, të cilës i vuri emrin e heroit të librit të tij të preferuar të fëmijërisë “Thomas A. Swift’s Electronic Rifle”, shkurtimisht Taser.

Pas këtij vendimi të marrë nga Ministri i brendshëm italian ka reaguar me një notë zyrtare Amnesty International e cila denoncon rrezikun për jetën e për shëndentin që shkëndijat elektrike të lëshuara nga pistoleta Taser shkaktojnë tek njeriu e sidomos tek personat që vuajnë nga patologji kardiake.

Sipas Amnesty International gjatë dekadës 2001-2011 janë mbi 500 persona që kanë humbur jetën pasi mbi trupin e tyre është përdorur pistoleta Taser.