Princesha Leia rikthehet në Star Wars IX

Personazhi i Carrie Fisher do të rikthehet në filmin e fundit të sagës së drejtuar nga J.J. Abrams, që pritet të publikohet në dhjetor 2019.

Pak ditë më parë nisën xhirimet e “Star Wars: Episode IX”, që do të përmbyllë dhe sagën e Skywalker, e nisur nga George Lucas në vitin 1977.

Kur “Lucasfilm” dhe “Disney” komunikuan kastin e aktorëve, sërish me regji të J.J. Abrams, ishin të shumtë ata që u surprizuan për rikthimin e personazhit të princeshës Leia, edhe pse aktorja Carrie Fisher ndërroi jetë pas xhirimeve të “The last Jedi”.

Vëllai i aktores, Todd Fisher e konsideroi shumë të rëndësishme për familjen e tyre që Leia do të jetë e pranishme në finalen e sagës: “Motra ime dhe princesha Leia janë një. E gjithë familja jonë, ashtu sikurse dhe fansat, duam që historia e personazhit të shkojë deri në fund. Është fantastike që “Lucasfilm” ka gjetur një mënyrë për ta realizuar. Falë J.J. Abrams do të asistojmë në një moment tepër magjik dhe të rëndësishëm për të gjithë ne”.