Princ Harry tërheq çmimin për princeshë Dianën

Princi Harry u duartrokit me ovacione, pasi mbajti një fjalim për nder të nënës së tij të ndjerë, në “Virgin Holidays Attitude Awards”, në “Camden Roundhouse”, në Londër. Djali 33-vjeçar i familjes mbretërore britanike kujtoi punën e vendosur të mamasë së tij, Diana, për të bërë më shumë në ndihmë të personave me HIV dhe u shpreh krenar për angazhimin dhe vendosmërinë e saj, për të ndihmuar në ndryshimin e perceptimit dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje.  Çmimi pas vdekjes, që përkon dhe me 20-vjetorin e vdekjes, iu dha Dianës për punën e saj për të sfiduar tabutë dhe frikën rreth HIV e Sidës, në vitet ’80 e ‘90. Revista “Attitude”, kopertina e së cilës shfaq princeshën Diana në një foto bardhezi, rendit një listë të gjatë me angazhimet e Lady D..
Harry tregoi se si nëna e tij, e cila vdiq në vitin 1997, ndjeu një përgjegjësi për të ndriçuar mendjen e njerëzve për çështjet që shpesh ishin injoruar: “Ajo e dinte se Sida ishte një nga gjërat që shumë donin ta injoronin dhe dukej si një sfidë e pashpresë”.