Policia arreston në Dhërmi kompozitorin dhe muzikantin e njohur

Mbrëmjen e së hënës në Dhërmi, një numër i madh oficerësh nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë hyrë në një lokal të armatosur, me shkopinj gome dhe jelekë antiplumb. Njerëzit që kishin ardhur për të dëgjuar këngëtarin Gena janë tronditur nga kjo ndërhyrje e policisë, e cila ka arrestuar pak minuta më vonë kompozitorin Edlir Begolli. Siç shihet në videon e publikuar nga Xing.al, forcat e FNSH-së janë ngjitur në skenë ku dhe vunë në pranga kompozitorin dhe muzikantin Begolli. Arsyeja e arrestimit, siç ka bërë të ditur vetë Begolli për Xing.al, ka qenë për shkak të volumit të muzikës.

“Ishim duke bërë muzikë si gjithmonë ndërkohë që policia kishte ardhur jashtë lokalit. Në atë moment Gena zbriti nga skena dhe unë isha ende lart për të mbyllur muzikën”,- rrëfen kompozitori Begolli. Ai shpjegon se në kohën që ndodhej ende në skenë, thuajse ishte rrethuar nga uniformat blu, të cilët ishin përgatitur ta arrestonin. “Nuk bëra rezistencë dhe më vunë prangat. Nga aty më ccuan në komisariat ku më mbajtën 5-6 orë pa arsye, pasi këto gjëra normalisht zgjidhen me një urdhër ndalimi”,- shpjegon Begolli. “Kam mbetur i shokuar dhe s’do doja të përsëritej më një gjë e tillë, pasi për një artist është tronditëse të trajtohet në një mënyrë të tillë si të ishte një kriminel”,- përfundon Begolli për Xing.al.