Përfundojnë xhirimet e “Tomb Raider”

Kapitulli i ri i historisë së Lara Croft do të vijë në kinematë botërore në muajin maj të vitit 2018. Regjisori Roar Uthaug njoftoi zyrtarisht përfundimin e xhirimeve të filmit të ri “Tomb Raider”, me protagoniste fituesen e çmimit “Oscar”, Alicia Vikander.

Përshtatja më e re për ekranin e madh të videolojës do të tregojë vajzën e re, e cila në moshën 21-vjeçare refuzoi që të merrte drejtimin e firmës së babait të saj, pasi nuk pranon zhdukjen e tij, por preferon të ndjekë studimet në Londër dhe të bëjë punë të vogla, vetëm që të jetë e pavarur nga ana ekonomike. Vajza vendos më vonë që të hetojë zhdukjen e babait të saj dhe udhëton në një ishull japonez, ku ai është parë për herë të fundit. Laras i duhet të kalojë limitet e saj dhe të futet në një botë të panjohur, duke kërkuar që të mbijetojë.