Ndërrimi i viteve, 4.500 policë ruajnë rendin në të gjithë vendin

Në zbatim të planit të masave të hartuar me rastin e festave të fundvitit, ku prej datës 20 dhjetor, Policia e Shtetit ka kaluar në shërbim të përforcuar, janë marrë masa shtesë për natën e ndërrimit të viteve, por edhe për ditët e para të vitit të ri, me qëllim garantimin e rendit dhe rritjen e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve. Në këtë kuadër gjatë ditës së sotme dhe deri më datën 04.01.2017  do të ketë shtim të  prezencës policore në të gjithë territorin e vendit.Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe është stacionuar nga një grup i FNSH -së. Gjithashtu të gjitha akset kryesore rrugore do të patrullohen nga grupet e FNSH-së. Në kuadër të parandalimit të aksidenteve rrugore, në të gjithë territorin e vendit shërbimet e policisë rrugore do të jenë prezente. Në të gjitha Pikat e Kalimit të Kontrollit Kufitar janë marrë masat për shtim të sporteleve dhe të burimeve njerëzore.