Modë, vjeshta ndizet me të kuqe

Kush i pëlqen ngjyrat e ndezura, do të lumturohet. Trendi i modës për sezonin e vjeshtës është e kuqja. Mund të luash me nuancat, por gjithsesi brenda të kuqesh mbetesh. Për fat të mirë, e kuqja u shkon të gjithëve, vetëm se personat me flokë të kuq duhet të tregojnë kujdes, nuk duhet ta veshin në pjesën e sipërme të trupit. Për të tjerët, dorë e lirë për kombinimet. Ndërsa, për ata që nuk guxojnë, mund ta përdorin në detaje.

Stilistët, në pasarelat e ndryshme të javëve të modës me koleksionet vjeshtë-dimër, e kanë shpalosur që nga palltot, te peliçet, aksesorët, çanta e çizme.

Nga Giorgio Armani te Max Mara, nga Missoni te Ermanno Scervino, nuk ka kompani mode që s’e ka përdorur në koleksionin e vet. Detaji më seksi i stinës? Pa dyshim që janë çizmet e gjata mbi gjunjë, si ato të përdorura nga “Fendi”.

Veshjet tërësisht të kuqe janë një shfrenim ngjyre dhe energjie për të ndezur ditët gri dhe disi të zymta të vjeshtës. Kombinimi më klasik është ai me tonalitetet neutrale, si e zeza, e bardha dhe bezha. Por këtë vit, kombinimi më i qëlluar është ai me blu dhe jeshile ushtarake.