Marsejë, ndërron jetë djali shkodran që u masakrua në burg

Florenc Beqiraj, i riu shkodran i masakruar në një burg të Marsejës, është ndarë nga jeta pasi luftoi për disa ditë me vdekjen në shtratin e spitalit.

23-vjeçari mbahej gjallë vetëm përmes aparaturave. Beqiraj ishte në Francë prej dy vitesh e po përpiqej të përfitonte azilin. Ai është ndaluar nga policia dhe për mungesë dokumentacioni përfundoi në burg. Pikërisht gjatë qëndrimit prapa hekurave ka ndodhur dhe incidenti që e çoi 23-vjeçarin në fund të jetës.

Ai u gjet i masakruar, me njolla në trup dhe një shenjë teli në fyt, duke përfunduar në gjendje të rëndë. Zërat që thonë se i riu ka tentuar vetëvrasjen nuk pranohen nga familja. Të tjerë mendojnë se Florenci është masakruar në burg, ose nga policia, ose nga të dënuarit e tjerë. E motra e tij që jeton prej disa vitesh në Mal të Zi, tha se i vëllai e ka marrë në telefon për t’i thënë se është ndaluar për shkak të mungesës së dokumentave dhe se në burg rrethohej nga njerëz të rrezikshëm.

Sipas të motrës, askush nuk i ka dhënë sqarime për ngjarjen, ndërsa zyrtarisht nga ambasada shqiptare i është thënë se i riu është vetëvarur me litar.