Majlinda Kelmendi shpallet xhudistja më e mirë në botë

Majlinda Kelmendi është shpallur xhudistja më e mirë femër në botë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve e cila u zhvillua në Budapest, kampionia Olimpike ka arritur të rrëmbejë trofeun më të rëndësishëm në këtë sport, çmim të cilën ajo e ka cilësuar si “maja e Everestit”.

Gjatë fjalës së saj, Majlinda ka falenderuar kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, për të cilin ka thënë se mbështetja e tij i ka mundësuar suksese xhudos kosovare, padyshim trajnerin e saj dhe dy vëllezërit.

“Nder i madh që të jem këtu. Kam disa fjalë për të thënë. Shpresoj të mos ju pengoj. Fillimisht dua të uroj presidentin për mandatin e ri. Faleminderit që e keni mbështetur Kosovën. Ju jeni arsyeja që Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik. Falë jush më është mundësuar të përfaqësoj Kosovën në Rio. Falë jush Kosova e ka medaljen olimpike. Faleminderit nga zemra. Falënderim special për njeriun që më ka rritur dhe më ka bërë kampion, trajneri Driton. Vëllezërit Syla dhe Agroni. Të gjithë e njihni historinë time. E kam nisur karrierën në Kosovë. Kam fituar gjithçka. Por ky çmim sot është ‘Everesti’. Nuk mund të kërkoj për më shumë”, ka theksuar ajo.

Këtë çmim, më i rëndësishmi për një sportiste, trajneri i shqiptares Dritan Kuka e ka vlerësuar si një kurorëzim të mundit dhe sakrificës.

Për të, Majlinda tregoi se nga vende të vogla si Kosova, lindin heronj të mëdhenj.

“Kurorëzohet mundi e sakrifica! Nga Kosova e vogël por me heronj të mëdhenj! Bota sot njohu Xhudisten më të madhe të Planetit! Majlinda Kelmendi The Best Judoka Today Awarded tonight by IJF!”, shkruan Kuka.