“Loving Vincent” Filmi i animuar për Van Gogh

Linjat dhe figurat e tij vijnë në jetë në filmin e konsideruar një kryevepër e animimit, diçka që nuk ishte parë kurrë ndonjëherë deri më sot, e që lartëson maksimalisht veprën e Vincent van Gogh.

Filmi i parë i pikturuar i botës, “Loving Vincent” pati premierën e tij në Londër dhe e kapërceu testin me sukses.

“Vincenti ishte tejet i pazakontë si artist, sepse në thelb, ai hidhte në telajo të gjithë botën e tij. Pikturonte këpucët e veta, dhomën e gjumit, pamjen që shihte nga dritarja e saj, ushqimin që hante, njeriun që ia shërbente atë ushqim. Ishte shumë e lehtë për ne të pikturonim botën, ashtu siç e shihte Vincent van Gogh. Arsyeja tjetër përse e zgjodhëm atë si subjekt, historia e tij dramatike, apo më mirë të themi tragjike”, tha Hugh Welchman, regjisor.

Homazhi ndaj mjeshtrit të madh holandez përdor më shumë se 130 piktura të tij, për të krijuar rrëfenjën e përcjellë publikut në një mënyrë krejt të re. Secila prej 65 mijë sekuencave të filmit të animuar është një pikturë me vaj, e realizuar me dorë nga 125 artistë profesionistë, të cilët kanë udhëtuar nga pjesë të ndryshme të globit, për t’u bërë pjesë e këtij projekti.

Më shumë se 4.000 të tillë kishin aplikuar, por në fund u përzgjodh vetëm grupi në fjalë, i cili iu nënshtrua edhe një trajnimi trejavor. Filmi është vlerësuar lart për teknikën e tij, por disa kritikë thonë se, narracioni nuk është në nivelin e efekteve vizuale, të cilat të lënë pa frymë.