Kim Jong-un ndryshon orën

Duke nisur nga 5 maji, Koreja e Veriut do t’i lëvizë akrepat me 30 minuta për t’iu përshtatur orës së Jugut në atë që nga mediat koreanoveriore cilësohet si një hap i parë praktik drejt pajtimit dhe unitetit kombëtar.

Lideri komunist Kim Jong-un e ka cilesuar pikëlluese e të dhimbshme që orët ta tregojnë ndryshe kohën në Penian e Seul. Ndryshimi i beftë pat ndodhur në 2015-ën, në përvjetorin e 70-të të çlirimit të Koresë nga sundimi japonez.

Zhvillimi i fundit vjen pas takimit historik mes liderëve të dy vendeve ish-armike të premten në zonën e çmilitarizuar, ku u zotuan për denuklearizimin e gadishullit e për nënshkrimin e një traktati paqeje, i cili do t’i japë fund zyrtarisht luftës së vitit 1953, të mbyllur asokohe vetëm me një marrëveshje armëpushimi.

Kim duket se po jep sinjale të qarta për gatishmërinë e vënies në jetë të këtyre zotimeve, edhe pse skepticizmi ndaj ndryshimit të papritur të tij, nuk mungon. Një ditë më parë u njoftua së udhëheqësi i Koresë së Veriut ka në plan të ftojë ekspertë dhe gazetare nga Seuli dhe Shtetet e Bashkuara për të parë momentin kur Koreja e Veriut do të mbylle objektin e saj të provave bërthamore, ne maj.

Njoftimin e bënë zyrtare koreano-jugore që citojnë Kim Jon-un-gin të pohojë së Shtetet e Bashkuara, megjithëse janë nga natyra e tyre armiqësore ndaj Koresë së Veriut, do të mësojnë sapo të nisin bisedimet se unë nuk jam një individ që do të përdorë armë atomike kundër Koresë së Jugut apo Amerikës në anën tjetër të Paqësorit.

Aty u përmend më së pari edhe premtimi për të ndryshuar orën me qëllimin që ajo të sinkronizohet me atë të vendit fqinj. Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur optimizëm për takimin me udhëheqësin koreano-verior pas bisedimeve që pati me homologun koreano-jugor Moon Jae-in dhe kryeministrin e Japonisë Shinzo Abe.