Kavalieri me energji të reja, flet për netët e ëmbla me Franceskën dhe vilen e tyre sekrete

Në një intervistë për të përjavshmen italiane “Chi”, Silvio Berlusconi flet për Francesca Pascalen, me të cilën është i lidhur që prej vitit 2011 dhe që jeton në “Vila Maria”.

”Kavaljeri” tregon se në vilë kthehet për të darkuar dhe për të fjetur sa herë që përkushtimet ia lejojnë siç tregojnë edhe fotot e liderit të Forza Italias në jetën e tij private së bashku me partneren.

“Ndryshe nga vila në ‘Arcore’, – tregon Berluskoni, – pak njerëz e dinë adresën dhe numrin e telefonit të vilës, që është një strehë e sigurt, ku pritja dhe ëmbëlsia e Francesca-s më kompensojnë lodhjen e ditës”.

Berluskoni ka folur edhe për rikthimin në politikë në prag të zgjedhjeve në Itali. “Falënderoj Zotin dhe mjekët, sepse pas operacionit që bëra verën e shkuar, ndihem më energjik dhe i shëndetshëm se më parë. Dhe ashtu si në vitin 1994, ndjeva detyrën për t’u kthyer në politikë dhe për të ndihmuar vendin tim nga një rrezik i madh, atë të marrjes së pushtetit nga lëvizja “Pesë yjet’”.

“Këtë herë, – vazhdon Berluskoni, – jam përgatitur si një sportist për të përballuar lodhjen e fushatës elektorale. Nuk fle shumë. Ndonjëherë qëndroj zgjuar deri në 2 apo 3 të natës dhe më pas zgjohem në 6. Por unë ndihem mirë pavarësisht nga mosha që kam”.

Më tej, ish-kryeministri Italian dhe ish-presidenti i Milanit shton: “Mbaj shumë disipline, që është një nga sekretet për të arritur objektiva të vështirë, edhe pse gjatë fushatës nuk ekziston një ditë si një tjetër. Më është dashur të merrem me mediat dhe rrjetet sociale, për të cilat kujdesem personalisht. Ndërkohë përpiqem të ha mirë: shumë fruta dhe shumë lëngje. Para së gjithash pi shumë, të paktën dy litra ujë në ditë dhe çaj. Konsumoj perime dhe marr proteina. I dua shumë ëmbëlsirat, por e ruaj veten shumë”, – nënvizon Berlusconi.