Katedralja e Korçës përfshihet nga flakët pas meshës ku ndodhej dhe Meta

Është përfshirë nga flakët katedralja e Korçës që ndodhet në qendër të Korçës.

Kisha ortodokse prej disa minutash është përfshirë nga flakjët e zjarrit, ndërsa pritet të mbërrijnë nga momenti në moment edhe forcat e zjarrëfikësve.

Siç duket nga fotot, tymi i zi ka mbuluar pjesërisht katedralen “Ringjallja e Krishtit”, si pasojë e zjarrit të shkaktuar fillimisht nga vendi ku ndiqen qirinjtë, siç duket edhe në fotot e mëposhtme. Më pas zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka dalë jashtë kontrollit.

Ngjarja ndodhi në ditën e Ujit të Bekuar, pas mbajtjes së meshës ku i pranishëm ishte edhe presidenti Ilir Meta dhe besimtarë të shumtë.

Katedralja është ndërtuar në vitin 1992, dhe i përket besimit ortodoks. Nga përmasat e saj cilësohet si më e rëndësishmja në Korçë dhe më e madhja në Shqipëri. Dikur në të njëjtën vend ekzistonte një tjetër katedrale e quajtur Katedralja e Shën Gjergjit, ndërtesë me rëndësi historike, e cila gjatë fushatave antifetare të vitit 1968 u shkatërrua totalisht së ekzistuari.

Katedralja “Ringjallja e Krishtit” karakterizohet nga një ndërtim prej betoni, përbëhet nga tre kate dhe zë një sipërfaqe prej 1800 metra katrorë. Ajo simbolizon rikthimin e praktikave fetare në një vend ku të gjitha fetë ishin ndaluar që nga viti 1967 deri në 1991.