Ismail Kadare nderohet me çmimin ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”

Kontributi i shkrimtarit të madh Ismail Kadare në letërsinë shqiptare dhe atë botërore është vlerësuar në Kosovë me çmimin nderkombetar ‘Letërsia Shqipe’. Çmimi i është dorëzuar gjeniut të letrave shqipe përmes një ceremonie të veçante organizuar sot në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’ në Prishtinë. Gjatë fjalës së tij Kadare tha se ky çmim ka një simbolik të veçante për të.

“Jam i lumtur që marr këtë çmim . Me besoni ky çmim i dhënë nga Kosova ka kuptim më tepër se një çmim për mua dhe më jep kënaqësi më shumë se çdo çmim tjetër”

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”,  Fazli Gajraku theksoi se për lexuesit e Kosovës Kadare është shkrimtari i zemrës

Çmimi ndërkombëtar “Lletërsia shqipe’ është themeluar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Çmimi u jepet personaliteteve, shtetas të Republikës së Kosovës, Shqipërisë, apo ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe.

Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm , kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, në “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike janë , “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.

Në vitin 1996 , Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Ai u konsiderua me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.

Në 13 maj 2016 , Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit të shquar “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.