“GOT 8”, mund të kthehet një personazh i madh

Fansat e “Game of Thrones” duhet të presin edhe një vit për të parë serialin e tyre të preferuar dhe të shikojnë se si do të vijojë historia, në gjashtë episode që është paralajmëruar që do të ketë. Sipas të dhënave të fundit, në këtë sezon të tetë dhe të fundit, mund të shfaqet sërish një personazh i madh i serialit. Bëhet fjalë për Melisandre, priftëresha e kultit të R’hllor, interpretuar nga aktorja daneze Carice Van Houten, që në sezonin 7 u shfaq vetëm në dy episode. Ata që e kanë ndjekur serialin dhe historinë, e dinë që ajo u dëbua nga Jon Snow ( Kit Harrington), pasi pranoi se dogji Shireen, vajzën e Stannis Baratheon, për shkak të një riti. Një ndjekës i “Reddit” bëri të ditur se në një video që postoi aktorja në “Instagram”, që tashmë është hequr, dalloi disa detaje që i dhanë të kuptonte se ndodhej në “Lilen Mill Studios”, në Belfast, ku janë xhiruar disa nga skenat për “Game of Thrones”.