“GOT”, 55 ditë xhirime për një betejë madhështore

Tre sheshxhirime të ndryshme, 55 net xhirime rresht dhe qindra personazhe pjesëmarrës, asnjëherë nuk është parë një angazhim i tillë për të realizuar vetëm një skenë beteje të madhe të sezonit 8 dhe final të “Game of Thrones”.

Sipas medies, është cilësuar si beteja më e madhe e xhiruar ndonjëherë për ndonjë serial dhe ndoshta më e rëndësishmja e prodhuar ndonjëherë për televizionin.

Xhirimet janë realizuar në fshatrat Moneyglass dhe Magheramorne në Irlandën e Veriut. Vendndodhja e tretë e sheshxhirimit ende nuk dihet. Sipas “Watchers on the Wall”, mund të jetë Saintfield, një fshat jo shumë larg Belfastit.

“Kjo është për Night Dragons”, lexohet në një shënim falënderimi për të gjithë personat e përfshirë, e publikuar nga producentët e serialit, pas mbarimit të xhirimeve epike.

“Për rezistimin e 55 netëve të xhirimeve. Për punën e bërë duke duruar të ftohtin, dëborën, shiun, baltën dhe erën e Toome e Magheramorne. Kur miliona persona në botë të shikojnë këtë episod pas një viti, nuk do ta dinë kurrë se sa shumë keni punuar për të dhe nuk do t’u interesojë se keni qëndruar në temperatura polare, por do të shikojnë vetëm diçka që nuk është realizuar kurrë më parë. Dhe gjithçka falë jush”.