Fituesi i Oscar i shpall “luftë” Rusisë: Na sulmuan! Reagon Kremlini

Aktori amerikan Morgan Freeman i ka shpallur luftë Kremlinit, duke akuzuar Rusinë se ka sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Videoja e realizuar prej tij dhe e shpërndarë në rrjetet sociale ka bërë xhiron e botës duke shkaktuar dhe reagimet e para të ashpra

“Vladimir Putin është një spiun dhe ky nuk është një skenar filmi. Na kanë sulmuar dhe tashmë jemi në luftë”.

Aktori akuzon Vladimir Putin për sulmet informatike të cilat agjencitë amerikane të inteligjencës ia faturojnë Kremlinit. Ndërhyrje të tilla sipas Freeman kishin vetëm një qëllim: Donald Trump të zgjidhej President i SHBA-së.

Më tej aktori shton se nëpërmjet shpërndarjes së lajmeve të rreme në rrjetet sociale, kreu i Kremlinit ka bindur personalitete të shoqërive demokratike që të shkatërrojnë mediat e tyre, progreset politike dhe vendet fqinje. Dhe sipas Freeman, Putin e ka fituar këtë luftë.

Sipas Morgan Freeman, populli amerikan ka nevojë që Presidenti i tyre të flasë qartë dhe të thotë të vërtetën.

Populli amerikan, vazhdon ai, ka nevojë të dëgjojë që në zgjedhjet e fundit presidenciale vendi është sulmuar nga qeveria ruse dhe për këtë arsye do të ketë hetime serioze.

Kremlini ka reaguar ndaj deklaratave fituesit të çmimit Oskar, nëpërmjet zëdhënësit të Putin, Dimitr Peskov, i cili e quajti aktorin “një të ekzaltuar”.