Filmi i ri “Dragon Ball”, zbulohet titulli dhe personazhi negativ

Seriali i animuar “Dragon Ball” do të vijë me filmin e 20-të me metrazh të gjatë. Aventurat e Gokut dhe miqve të tij do të na shoqërojnë edhe në këtë produksion të ri, ku pritet të shfaqen një numër i madh personazhesh si asnjëherë tjetër. Skenari i filmit të ri do të shkruhet nga Akira Toriyama. Filmi i fundit dedikuar “Dragon Ball” debutoi në vitin 2015 në Japoni. Subjekti i filmit do të përqendrohet në personazhet Saiyan, origjina e tyre dhe fuqitë mbinjerëzore.

Raportohet se titulli i filmit të shumëpritur nga fansat është “Dragon Ball Super: Broly”. Broly është edhe personazhi negativ i këtij projekti, që do të ndeshet me Gokut dhe miqtë e tij. Filmi i 20-të i “Dragon Ball” do të vijë në kinematë japoneze më 14 dhjetor të këtij viti dhe në SHBA në janar të vitit 2019.