Eric Clapton po humb dëgjimin, i druhet të ardhmes

Muzikanti britanik, legjenda e “rock blues” dhe e kitarës, Eric Clapton u rrëfye në një intervistë për “BBC Radio 2”, duke thënë se po shkon drejt rrugës për të humbur dëgjimin dhe nuk e fshehu ankthin për të ardhmen: “I kam kaluar të 70-at dhe më shqetëson aftësia e të qenit efikas. Po shurdhohem”.

Clapton, që do të mbushë 73 vjeç më 30 mars, vijoi: “Shpresoj që njerëzit në koncertet e mia të vijnë se më pëlqejnë, jo nga kurioziteti se si do të performoj në gjendjen time”.

Ndër eventet e pritshme më të rëndësishme është koncerti në “British Summer Time Festival”, në “Hyde Park”, në Londër, në korrik.

Në një intervistë për “Rolling Stone”, Eric Clapton foli për të varësinë nga droga dhe alkooli në të kaluarën: “Për 20 vjet kam abuzuar me alkoolin. Pija ime e preferuar ishte një birrë speciale me vodka”.

Clapton lindi në vitin 1945 në Ripley, Britani, nga një vajzë 16-vjeçare pas një lidhjeje kalimtare me një ushtar kanadez. Clapton ka interpretuar me “Yardbirds” përpara se të krijonte grupe dhe supergrupe, si “Cream”, “Derek and the Dominos” dhe “Blind Faith”. Më pas iu përkushtua karrierës si solist.