Elton John i thotë lamtumirë skenës me turne botëror

Viti 2019 do të jetë dhe ai përmbyllës i karrierës në skenë për Elton John. Turneu “Farewell Yellow Brick Road” do të jetë i fundit i një eksperience muzikore gjysmëshekullore.

Turneu u njoftua në “Gotham Hall” në New York dhe sapo dolën 76 datat e para të koncerteve, biletat u shitën menjëherë.

“Dua të falënderoj fansat e mi të mrekullueshëm për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme gjatë gjithë karrierës sime dhe sidomos për interesin e tyre për të qenë të pranishëm në turneun tim. Jam i emocionuar dhe mezi po pres të nis rrugëtimin”, – deklaroi Elton John.

Në rreth 3 vjet turne, këngëtari britanik do të vizitojë 5 kontinente dhe do të performojë në 300 koncerte në të gjithë botën.

Me këtë projekt përmbyllet rreth gjysmë shekulli “on the road” për një prej performuesve më jetëgjatë të popit. Skenografia e re do t’i çojë fansat në një udhëtim muzikor vizual përmes një karriere hitesh prej 50 vjetësh që nuk është parë deri më sot.