E premtja e zezë, amerikanët shpenzuan 1.52 miliardë dollarë

Konsumatorët amerikanë kanë shpenzuar mëse 1.52 miliardë dollarë me blerje online gjatë mbrëmjes së Falenderimeve dhe akoma më shumë blerëss kanë pushtuar dyqanet këtë vit, pas dy sezonesh jo të mira të shitjeve të së Premtes së Zezë.

Në fillim të sezonit të festave, shpenzimet e konsumatorëve u rritën me 16.8%, sipas analistëve që gjurmuan 80% të transaksioneve online në 100 shitësit më të mëdhenj amerikanë.

Shitjet online gjithnjë në rritje dhe largimi nga dyqanet kanë zvogëluar turmat e njerëzve që shihen zakonisht në mbrëmjen e Falenderimeve dhe në ditën e të Premtes së Zezë, për dy vitet e fundit. Por një treg i fuqishëm pune, çmimet në rritje të shtëpive dhe tregjet e aksioneve në nivele tepër të larta kanë përmirësuar këtë vit oreksin e blerësve amerikanë.

Konsumatorët në dyqane përqark vendit duket se këtë vit janë shtuar, sipas analistëve dhe konsultuesve të fluksit të blerjes në mbarë Shtetet e Bashkuara. Sezoni festiv që shtrihet nga nëntori në dhjetor është kyç për shitësit, sepse mund të sjellë deri në 40% fitime vjetore. Kështu, shitësit përpiqen të tërheqin blerësit me ulje të mëdha. Ofertat e uljeve mesatarisht variojnë mes 10 dhe 16% dhe ujditë më të mira zakonisht përfshijnë kompjuterat, mallrat sportivë, veshjet dhe video-lojërat.