“DigitAlb” siguron për tre sezone La Liga dhe Serie A

Supersport në “DigitAlb” siguron për tre sezonet e ardhshme kampionatin italian dhe spanjoll të futbollit.

Platforma më e madhe dixhitale e shqiptarëve,“DigitAlb” ka siguruar të drejtën e transmetimit të kampionatit spanjoll (La Liga) dhe atij italian (Seria A), edhe për tre sezonet e ardhshme, 2018-2019, 2019-2020, 2020-2021.

Fansat e Realit të Madridit, Barcelonës, Juventusit, Interit, Milanit, etj., do të vijojnë të ndjekin nga ekrani i “DigitAlb”, skuadrat e tyre të zemrës, ndërsa çdo javë do të shijojnë spektaklin e “10 Topave të Artë”, Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.

Krahas La Ligës dhe Serisë A, në ekranin e Supersport, në Digitalb do të vijojnë të transmetohen edhe kampionati anglez i futbollit, me dy ndeshjet më të rëndësishme të çdo jave, kampionati gjerman (nëpërmjet dy kanaleve Eurosport), kampionati francez, ai holandez, Kupa e Italisë, Kupa e Mbretit (Spanjë), Kupa e Gjermanisë, Kupa e Francës, Seria B, etj.

Natyrisht që nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Kategorinë Superiore, që do të vijojë të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Supersport, për 4 sezonet e ardhshme, deri në vitin 2022. Po kështu do të vijë sërish për të gjithë futbolldashësit shqiptarë edhe Europa League.

Nuk do të mungojnë as ngjyrat kuqezi në Digitalb, pasi të gjitha ndeshjet e Kombëtares Shqiptare, si dhe Përfaqësueses së Kosovës në Ligën e Kombeve, do të vijnë nëpërmjet transmetimesh spektakolare në ekranin e Supersport, ashtu si i gjithë kompeticioni (Nations League), ku garojnë të gjitha përfaqësueset e Europës.