Commonwealth në hall, diskutime sekrete për kreun

Commonwealth ka nisur të konsiderojë në mënyrë sekrete se kush do të pasojë mbretëreshën në krye të kësaj organizate.

BBC shkruan se çështja është shumë e ndjeshme, pasi roli nuk është i trashëgueshëm dhe nuk do t’i kalojë automatikisht Princit të Uellsit pas vdekjes së mbretëreshës. Sipas BBC, Commonwealth-i ka krijuar një grup të nivelit të lartë që do të shqyrtojë mënyrën e qeverisjes së kësaj organizate ndërkombëtare. Grupi do të takohet fillimisht për të rishikuar drejtimin e Commonwealth-it nga sekretariati dhe guvernatorët e tij. Megjithatë, kjo është pjesa publike e detyrës së grupit special, ndërsa burime thonë se çështja kryesore e takimit do të jetë diskutimi i asaj që do të ndodhë, nëse mbretëresha, e cila në prill mbush 92 vjeç, do të ndërrojë jetë.

Sado e pakëndshme të jetë kjo temë, tha një prej burimeve, duan apo nuk duan ata, nuk shmanget dot. Krerët e qeverive të Commonwealth-it do të mblidhen në prill në Londër dhe grupi special do t’i raportojë atyre, kohë kur pritet një diskutim edhe më i gjerë për pasardhësin e mbretëreshës në krye të organizatës.

Mbretëresha u shpall kreu i Commonwealth-it kur mori kurorën dhe kur ishte kreu i shtetit në 7 nga 8 anëtarët e tij. Tani, organizata ka 53 anëtarë dhe çdo vendim për drejtimin e saj do të merrte nga krerët e qeverive pas vdekjes së mbretëreshës, por meqë nuk ka një proces formal për zgjedhjen e pasardhësit, duhen bërë përgatitje. Disa figura të organizatës thonë se nuk ka alternativë tjetër veç Princit Charles, por janë shtuar zëra për zgjedhjen e një lideri ceremonial që të përmirësojë kredencialet demokratike të Commonwealth-it.