Charlie Chaplin, film mbi legjendën e kinemasë

“Altitude” dhe “Showtime” kanë bashkuar forcat për të realizuar “Chaplin” filmin dokumentar të Peter Middleton e James Spinney, mbi aktorin dhe regjisorin Charlie Chaplin. Projekti pritet të projektohet në Festivalin e Cannes.

Filmi mbështetet edhe nga “Chaplin’s World”, një muze në Zvicër, ku legjenda e kinemasë jetoi për 25 vjet. Në këtë vend do të bëhen edhe disa xhirime, për të sjellë skena nga periudha e fundit e jetës së yllit të ekranit.

Regjisorët Middleton e Spinney kanë marrë leje për të përdorur arkivin personal dhe kreativ të Charlie Chaplin, ku gjenden dhe materiale të papublikuara më parë.

Falë skenave të eliminuara dhe që kurrë s’u transmetuan dhe regjistrimeve audio të padëgjuara, dyshja e regjisorëve do të krijojë kalimin e Chaplin nga varfëria e Londrës te dritat e Hollivudit.

Filmi do të tregojë suksesin e jashtëzakonshëm të artistit, pa harruar edhe skandalet dhe polemikat politike, që e çuan ikonën e artit të shtatë të largohej nga SHBA-ja.