Botërori i peshëngritjes, Çalja një hap larg podiumit

Briken Çalja iu afrua ndjeshëm podiumit në peshën deri në 69 kg në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Kaliforni të SHBA.

Peshëngritësi shqiptar u rendit në vendin e katërt në dygarësh në këtë kategori, me peshën totale të ngritur prej 317 kg, vetëm 1 kg më pak se vendi i tretë që u fitua nga francezi King Matam, ndërkohë që medalja e artë i shkoi koreanojugorit Won, ndërsa ajo e argjendtë u fitua nga tajlandezi Bunsuk.

Në stilin e shkëputjes, Çalja u pozicionua i katërti me 142 kg të ngritura që në provën e parë. Në provën e dytë dhe të tretë, pëshëngritësi tentoi të ngrejë 145 dhe 146 kg, por dështoi. Ndërsa stilin e shtytjes Çalja e përfundoi në vendin e pestë. Në këtë stil, ai ngriti 175 kg që në provën e parë. Në dy provat e tjera Çalja tentoi të ngrejë 180 kg, që do t’i jepte medaljen e artë në këtë stil dhe të argjendtën në dygarësh, por nuk ia arriti dot qëllimit.