Bombë 1.8 ton e Luftës së Dytë Botërore, Gjermania zhvendos 26 mijë banorë

Punimet për ndërtimin e një parku zbuluan një bombë 1.8 tonëshe të Luftës së Dytë Botërore dhe që prej asaj kohe puna ka mbetur pezull.

Të dielën, autoritetet gjermane zhvendosën 26 mijë persona nga qyteti i Paderbornit për të vijuar me punën për çaktivizimin e bombës gjigante.

Në misionin për largimin e banorëve u angazhuan Kryqi i Kuq, departamenti i zjarrfikëses dhe policia gjermane. Bëhej fjalë për “pastrimin” e një zone në një rreze prej 1.5 kilometrash, ku përfshiheshin dy spitale, disa shtëpi azili dhe një universitet.

Policia gjermane thotë se çaktivizimi i bombës do të kryhet në orën 13:00 dhe pasi autoritetet të jenë të siguruara se rreziku është zero, do të jepet drita jeshile për rikthimin e banorëve në shtëpitë e tyre.

Ky është rasti i dytë që zbulohet një bombë e tillë e Luftës së Dytë Botërore. Në dhjetor të 2016, një model i njëjtë bombe u zbulua në qytetin e Augsburgut, duke detyruar autoritetet zhvendosjen e 56 mijë banorëve për çaktivizimin e saj.