Bleu biletë për herë të parë, fiton “jackpot”-in

Një adoleshente kanadeze goditi që me të parën, duke fituar “jackpot”-in në ditën e saj të ditëlindjes.
Charlie Lagarde nuk kishte blerë asnjëherë më parë një biletë lotarie, por vendosi ta provonte si për shaka, duke e shoqëruar edhe me një shishe shampanjë për të festuar ditëlindjen e saj të 18.
Gërvishja e asaj bilete do t’i ndryshonte jetën. 18-vjeçarja fitoi dhe mund të zgjidhte, ose të pranonte shumën marramendëse të një milion dollarëve kanadezë (780 mijë dollarë, 550 mijë paund), ose të fitonte 1.000 dollarë në javë për të gjithë jetën.
Charlie, pasi doli me një konsulent financiar, zgjodhi këtë të dytën.
“Është pa taksa, kështu që është e barabartë me një pagë prej më shumë se 100 mijë dollarësh në vit, prandaj është një fillim i madh në jetë për atë zonjushë të re”, tha Patrice Lavoie, zëdhënës i korporatës së lotarisë.
Vajza rrëfen se paratë e fituara kaq papritur dëshiron t’i përdorë për të udhëtuar, por edhe për një shkollim dinjitoz. “Dua të studioj fotografinë”, shprehet ajo, duke shtuar se një nga ëndrrat e saj më të hershme është të punojë për “National Geographic”.