Ben Kingsley në rolin e nazistit Adolf Eichmann

Ben Kingsley do të luajë rolin e Adolf Eichmann në “Operation Finale”, i regjisorit Chris Weitz, i prodhuar nga “MGM”. Filmi flet për operacionin e kapjes së kriminelit nazist në Argjentinë, në vitet ’60. Oscar Isaac do të luajë Peter Malkin, lideri i grupit të spiunëve izraelitë, i ngarkuar për të kapur Eichmann. Anëtari i Mossadit ka një urrejtje të madhe ndaj nazistëve, pasi i vranë të motrën dhe fëmijët e saj. Xhirimet pritet të nisin në vjeshtë në Argjentinë.

Eichmann organizoi transportin e hebrenjve nga vende të ndryshme të Europës në kampet e përqendrimit, ku u vranë miliona prej tyre. Pas luftës ai u arratis në vendin e lindjes, në Austri, dhe më pas u transferua në Argjentinë. Agjencia izraelite e Inteligjencës, Mossad, zbuloi vendin ku fshihej famëkeqi nazist në vitin 1960 dhe dërgoi një skuadër me agjentë, duke organizuar një operacion për kapjen e kriminelit të luftës për ta çuar në Izrael, për t’u përballuar me akuzën e krimit kundër njerëzimit dhe popullit izraelit. U dënua me varje dhe u ekzekutua në vitin 1962, pa u penduar deri në varr.