Australi, peshkaqeni shqyen adoleshenten sërfiste

Një vajzë adoleshente ka humbur jetën pasi është sulmuar nga një peshkaqen teksa bënte sërf në brigjet perëndimore të Australisë.

Vajza, 17 vjeçe, u nxorr në breg nga i ati dhe u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve të rënda.

Në momentin e sulmit, në vendin e ngjarjes ndodheshin edhe e ëma dhe dy vëllezërit e vegjël.

Ngjarja ndodhi në Esperance, një vend i njohur për praktikuesit e sërfit. Ky është sulmi i tretë fatal nga një peshkaqen që ndodh në 12 muajt e fundit.

Neville Mansted, një peshkatar profesionist, tha se nuk do të bënte më sërf atje. “Është hera e dytë që shoh diçka të tillë, në të njëjtin vend. Mund të kishte qenë djali im”, tha ai për një gazetë australiane.

Plazhi do të qëndrojë i mbyllur për të paktën 48 orë, derisa autoritetet të kryejnë hetimet.