Apeli i Nishanit: Maqedonia të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, është në interes të rajonit

Presidenti Bujar Nishani, ka shprehur domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, duke e parë si një ndër pikat më të rëndësishme që do t’i shërbejë shqiptarëve, por edhe rajonit. Deklaratat, kreu i shtetit i bëri gjatë pritjes në presidencë të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj. Duke ju referuar krizës në Maqedoni, Nishani tha se ajo nuk është një krizë ndëretnike, por politike.
Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, presidenti tha se ato duhet të zgjerohen, sidomos në fushat me interes të përbashkët.
Sa i përket mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, ajo duhet të dalë me axhendë konkrete, për të ndihmuar në aspektin social, ekonomik, kulturor dhe arsimor shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë, tha Nishani.
Ndërkohë, kreu i diplomacisë së Kosovës, në emër të popullit të tij, shprehu mirënjohje për rolin e Shqipërisë në në rrugën e integrimeve euro-atlantike të Kosovës.