Annie Lennox në koncertin e Krishtlindjes në Vatikan

Annie Lennox do të jetë pjesë e koncertit të përvitshëm të Krishtlindjes që do të organizohet më 16 dhjetor, në sallën “Paolo VI”, në Vatikan.

Artistja legjendare skoceze, këngëtare, shkrimtare, aktiviste për të drejtat e njeriut, u bë e njohur me grupin “Eurythmics”, të cilët kanë shitur më shumë se 80 milionë albume. Në karrierën e saj ka marrë shumë çmime ndërkombëtare; 8 “BRIT Awards”, 4 “Ivor Novello”, 3 “MTV Awards”, 4 “Grammy”. Ndërsa është nominuar 10 herë për “Grammy”, 26 në “ASCAP Awards”, për 1 “Golden Globe” dhe 1 “Oscar”.

Angazhimi i saj humanitar është i shpërndarë në disa drejtime; Fondacioni “Mandela”, “UNAIDS”, “Oxfam”, “Amnesty International” dhe Kryqi i Kuq britanik.

Lennox do të performojë mes shumë emrave të njohur të skenës italiane dhe asaj botërore: Patti Smith (SHBA), Noa (Izrael), Imany (Franca), Joaquin Cortes (Spanja) Lola Ponce (Argjentina), Hevia (Spanja), Al Bano (Italia), Alex Britti (Italia), Enrico Ruggeri (Italia), Murgesha Cristina (Italia), Gigi D’Alessio (Italia), Fabio Armiliato (Italia), Gio Di Tonno (Italia), Andrea Griminelli (Italia), Davide Merlini (Italia), Syria (Italia), Cheryl Porter & Hallelujah Gospel Singers (SHBA), Art Voice Academy (Italia), Kori i Vogël i Piazza Vittorio (Italia), Presepe Vivente Storico i komunës Vetralla (Italia).

Të gjithë artistët do të performojnë “live” të shoqëruar nga Orkestra Simfonike italiane, e drejtuar nga maestro Renato Serio.