“Aktrimi më jep mundësinë të përdhunoj femra të bukura”

“Më pëlqen puna që bëj se më jep mundësinë që të bëj shumë gjëra; t’i shkul gurmazin ndonjë rivali dhe të përdhunoj femra të bukura”.
Këto komente të Jason Mamoas janë bërë në vitin 2011, gjatë diskutimeve për xhirimet e serialit Game Of Thrones, por videoja u përhap me shpejtësi e nxitur nga stuhia që ka përfshirë Hollivudin për ngacmimet seksuale, që nisi me regjisorin e famshëm, Harvey Weinstein.
Mamoa ka luajtur rolin e Khal Drogos, prijës i një fisi luftarak në serialin e famshëm dhe në sezonet e para të tij ka edhe një skenë ku përdhunon Daenerys Targaryen, luajtur nga Emilia Clarke.
Pas lumit të kritikave në rrjetet sociale, aktori 38-vjeçar po përmes rrjeteve sociale ka kërkuar ndjesë.
“U zgjova me reagimet e justifikuara të shumë njerëzve në lidhje me një shaka të shëmtuar që e kam bërë vite më parë dhe për të cilën më vjen keq. Komentet e bëra nga unë ishin të pavend dhe jam shumë i zhgënjyer me veten. E di që ndjesa nuk i fshin fjalët e rënda që kam thënë. Përdhunimi dhe ngacmimi seksual mund të prekë këdo dhe e kam vuajtur vetë tek njerëz të afërm të mi. Sinqerisht komentet e mia janë të shëmmtuara, të papranueshme dhe kërkoj ndjesë për fjalët e rënda që kam thënë”, shkruan aktori.