Adelina Ismaili, nënë për herë të parë! Ja kuptimi i emrit të djalit

Diva e muzikës shqiptare është bërë nënë për herë të parë, mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:00. Lajmi për lindjen e djalit dhe emri i zgjedhur Uliks, u dha që mbrëmë, edhe pse ende nuk dihet se zgjedhja e kujt ka qenë ky emër.

Në një intervistë për mediat e Kosovës në ditët e fundit të shtatzënisë, Adelina Ismaili tha se ende nuk e kishte vendosur emrin me të cilin do të pagëzonte të birin dhe se këtë gjë ia kishte besuar bashkëshortit, Valit.

Uliks është një emër mbreti, varianti latin i Odiseut (greq. Odysseus, lat. Ulixes) – mbret i Itakës, heroi simbol i zgjuarsisë (dinakërisë), trimërisë dhe guximit në mitologjinë greke gjatë Luftës së Trojës.

Besohet, madje, nga shumë studiues të gjuhëve të vjetra evropiane, se forma e emrit të Odiseut, Uliks, është përcjellë te popujt e Evropës Perëndimore nëpërmjet ilirëve, ndaj jo më kot emri është përfshirë shpesh edhe në listat e emrave popullorë shqiptarë.